Kushtet e Shërbimit të Përdoruesit – Shqipëri
Duke përdorur Shërbimin Wolt, ju pranoni të zbatoni këto Kushte të Shërbimit të Përdoruesit (“Kushtet e Shërbimit”).
Ju lutemi lexoni me kujdes Kushtet e mëposhtme të Shërbimit përpara se të përdorni Shërbimin Wolt. Nëse nuk bini dakord me Kushtet e Shërbimit, nuk mund të përdorni Shërbimin Wolt. Këto Kushte Shërbimi zbatohen për çdo përdorim të Shërbimit Wolt dhe për Marrëveshjet e Blerjes të bëra nën këto kushte. Një përshkrim më i detajuar i Shërbimit Wolt dhe informacion mbi kërkesat e sistemit është i disponueshëm në wolt.com.
Nëse keni një Llogari Wolt për Punë, këto Kushte Shërbimi zbatohen gjithashtu dhe për organizatën e klientëve tanë, e cila ju ka dhënë Funksionin Wolt për Punë (“Organizata e Klientit”) në lidhje me Porositë e bëra nga ju nëpërmjet Funksionit Wolt për Punë. Nëse ka ndonjë mospërputhje midis këtyre Kushteve të Shërbimit dhe Afateve & Kushteve të Korporatës Wolt, të zbatueshme për Organizatën e Klientit, Afatet & Kushtet e Korporatës Wolt do të kenë përparësi.
Kushtet e Shërbimit janë lidhur vetëm mes nesh dhe Përdoruesit, dhe jo me Apple Inc., dhe Apple Inc. nuk është përgjegjës për Aplikacionin Wolt ose përmbajtjen e tij. Ju pranoni që Apple Inc. dhe filialet e Apple Inc. (“Apple”), janë përfitues si palë e tretë e Kushteve të Shërbimit dhe që, me pranimin nga ana juaj të Kushteve të Shërbimit, Apple do të ketë të drejtën (dhe do të konsiderohet se e ka pranuar të drejtën) të kundërdrejtojë Kushtet e Shërbimit ndaj jush si një palë e tretë përfituese.
1. Përkufizime
“Partneri Korrier” do të thotë një kontraktues i pavarur i cili ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Wolt dhe që është një person fizik ose juridik, ose zëvendësuesi i tij, që kryen shërbime shpërndarjeje përmes Shërbimit Wolt.
“Partner” nënkupton një restorant, dyqan me pakicë ose partner tjetër shërbimi që ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Wolt, ose zëvendësuesin e tyre, dhe i cili, si tregtar, ofron produktet dhe shpërndarjen e tyre ose shërbime të tjera për shitje nëpërmjet Shërbimit Wolt. Përveç rasteve kur specifikohet ndryshe në Shërbimin Wolt, të gjithë Partnerët janë tregtarë sipas kuptimit të ligjeve për ushqimin dhe të mbrojtjes së konsumatorit të vendit tuaj.
"Marrëveshje Blerjeje” do të thotë një marrëveshje e lidhur midis një Përdoruesi dhe Wolt për blerjen e produkteve të Partnerit, të shfaqura në Shërbimin Wolt dhe dërgimin e mundshëm të tyre ose shërbimeve të tjera të bëra në një Porosi. Në lidhje me Porositë e bëra përmes Funksionit Wolt për Punë, Marrëveshja e Blerjes përbën një marrëveshje detyruese midis Wolt dhe Organizatës së Klientit. Në lidhje me Porositë e bëra nëpërmjet çdo mënyre tjetër pagese të Përdoruesit, Marrëveshja e Blerjes përbën një marrëveshje detyruese midis Wolt dhe Përdoruesit.
“Përdoruesi” ose “ju” do të thotë një person fizik që përdor Shërbimin Wolt. Përdoruesi duhet të jetë i moshës 18 vjeç ose më i madh.
“Wolt” do të thotë: WoIt Albania SHPK, Rr. “Ibrahim Rugova”, Sky Tower, Kati 5, Suite 2, Tiranë, Shqipëri, nëse Përdoruesi ndodhet në Shqipëri.
“Aplikacioni Wolt” do të thotë një aplikacion digjital i quajtur Wolt, i ofruar nga Wolt për personat fizikë dhe juridikë për të porositur produkte nga Partnerët e Wolt.
“Llogaria Wolt për Punë” do të thotë llogaria e përdoruesit në aplikacionin Wolt, në të cilën është shtuar Funksioni Wolt për Punë.
“Funksioni Wolt për Punë” do të thotë mënyra e pagesës dhe funksioni i Aplikacionit Wolt përmes të cilit Përdoruesit e autorizuar të Organizatës së Klientit mund të bëjnë Porosi me shpenzimet e Organizatës së Klientit.
“Shërbimi Wolt” do të thotë Aplikacioni Wolt, dhe portali wolt.com dhe vendodhje të tjera shtesë siç përmenden në wolt.com.
2. Identiteti i Wolt
WoIt Albania SHPK, Rr. “Ibrahim Rugova”, Sky Tower, Kati 5, Ap. 2, Tirane, Albania, Nipt M32418016P, NUIS M32418016P.
Wolt Enterprises Oy, Pohjoinen Rautatiekatu 21, 00100 Helsinki, Finlandë, ID e biznesit 2646674-9, Nipt FI26466749.
Emri Tregtar: "Wolt",
Adresa e emailit: support@wolt.com.
*Lutemi vini re se ndërkohë që Shërbimi Wolt ju ofrohet ligjërisht nga shoqëria vendore Wolt në këto shtete, shërbimi i pagesës mund të organizohet, në mënyrë të përkohshme, nga Wolt Enterprises Oy nëpërmjet një pale të tretë ofrues i shërbimit të pagesave. Megjithatë, Wolt do t'ju ndihmojë me rimbursimet e mundshme, ankesat dhe pretendimet e tjera në lidhje me transaksionet tuaja në Shërbimin Wolt. Kështu, ju mund të kontaktoni Wolt drejtpërdrejt në të dhënat e mësipërme të kontaktit në rast të ndonjë mosmarrëveshjeje ose pretendimi në lidhje me Shërbimin Wolt me Wolt dhe Partnerët.
Informacioni rreth identitetit dhe produkteve dhe shërbimeve të Partnerëve jepet në Shërbimin Wolt.
3. Përshkrimi i Shërbimit Wolt
3.1. Wolt ofron një platformë teknologjike që lidh Përdoruesit, Partnerët dhe Partnerët Korrierë. Teknologjia e Wolt i lejon Përdoruesit të bëjnë Porosi për ushqim dhe/ose mallra të tjera nga Partnerë të ndryshëm dhe Përdoruesit mund të Porositin gjithashtu shërbime shpërndarjeje. Wolt nuk është një restorant apo biznes i përgatitjes së ushqimit; megjithatë, si ndërmjetës për shitjen e produkteve të Partnerit dhe shërbimeve të mundshme, Wolt blen produktet dhe shërbimet e Porositura nga Përdoruesit nëpërmjet Shërbimit Wolt nga Partneri, dhe ua shet ato Përdoruesve në emrin e tij.
3.2. Partneri ofron informacion në lidhje me produktet e tij dhe shërbimet e mundshme në Shërbimin Wolt, duke përfshirë, por pa u kufizuar në, informacionin mbi karakteristikat e produktit, alergjenët dhe udhëzimet e përdorimit. Nëse keni alergji ose kufizime të tjera dietike ose për arsye të tjera dëshironi të merrni informacion më të detajuar rreth produkteve, lutemi kontaktoni Partnerin përkatës. Ju gjithashtu mund të kontaktoni kujdesin ndaj klientit të Wolt, i cili mund të kontaktojë Partnerin në emrin tuaj për pyetje të tilla. Megjithatë, Partneri është përgjegjës për ofrimin e informacionit të saktë, të përditësuar dhe të kërkuar ligjërisht për produktet, duke përfshirë dhënien e informacionit mbi çmimet përkatëse dhe duke treguar çmimin për njësi, duke përfshirë taksat e zbatueshme, tarifën e transportit (nëse aplikohet) dhe tarifa të tjera shtesë kur kërkohet sipas ligjeve në fuqi. Lutemi të mbani në konsideratë se shitja dhe blerja e produkteve dhe shërbimeve të mundshme të Partnerit mund t'i nënshtrohet afateve dhe kushteve shtesë të Partnerit ose Wolt, rast pas rasti, siç përcaktohet në Shërbimin Wolt.
3.3. Kur zgjedh produktet dhe shërbimet që dëshiron të blejë nga Partneri, Përdoruesi bën një porosi të detyrueshme për Wolt për të blerë këto produkte dhe shërbime nga Partneri , sipas afateve dhe kushteve të paraqitura tek Përdoruesi në këtë kontratë dhe në Shërbimin Wolt përpara se të bëjë Porosinë (“Porosia”). Pas marrjes së Porosisë, Wolt do t'i transmetojë detajet e Porosisë tek Partneri. Kur Porosia pranohet nga Partneri dhe Wolt i ka ofruar Përdoruesit një konfirmim Porosie, Përdoruesi ose Organizata e Klientit dhe Wolt hyjnë në Marrëveshjen e Blerjes për blerjen e produkteve të Partnerit dhe, nëse është rasti, shërbimet e transportit ose shërbime të tjera. Për hir të qartësisë, Wolt do t'i lëshojë Përdoruesit një faturë nën emrin e tij për produktet dhe, nëse është rasti, për shërbimet e transportit. Përmbushja e Porosisë varet nga disponueshmëria e produktit dhe/ose shërbimit, dhe Wolt rezervon të drejtën, sipas gjykimit të tij, të anulojë ose të mos pranojë një Porosi.
3.4. Nëse Porositen shërbimet e transportit, platforma njofton një Partner Korrier se ekziston një mundësi transporti dhe teknologjia lehtëson përfundimin e dërgesës te Përdoruesi. Përveç ushqimit ose produkteve të tjera të porositura, Wolt ose, sipas rastit, Partnerët, i ngarkojnë Përdoruesve një tarifë transporti, tarifë shërbimi dhe tarifa të tjera shtesë (kur zbatohen) për Porosinë siç përcaktohen më në detaje në Shërbimin Wolt, në rastet kur këto janë të zbatueshme. Në çdo rast, tarifa e transportit, tarifa e shërbimit dhe tarifat e tjera shtesë (kur janë të aplikueshme) do t'i bëhen të ditura Përdoruesit së bashku me çmimet përkatëse, siç përcaktohet në pikën 3.2 më lart.
3.5. Partneri i zgjedhur nga Përdoruesi do të përgatitë dhe/ose mbledhë dhe paketojë produktet e përcaktuara në Porosi. Meqenëse Wolt lehtëson shitjen e produkteve te Përdoruesit nëpërmjet Shërbimit Wolt si rishitës i tyre nën emrin e tij, ju njihni dhe pranoni se, përgjegjësia që produktet e vendosura për shitje në Shërbimin Wolt janë të një cilësie të mirë, të sigurtë për t'u përdorur, të etiketuar saktë dhe në përputhje me të gjitha rregullat dhe kërkesat e aplikueshme për sigurinë e ushqimit dhe produkteve dhe rregulloret e kërkesat e tjera, është e Partnerit. Megjithatë, Përdoruesit mund t'i drejtojnë Wolt-it të gjitha pretendimet për ekzekutimin e duhur të Marrëveshjes së Blerjes. Megjithëse Wolt nuk është përgjegjës për shërbimet e transportit të ofruara nga Partnerët Korrierë, Wolt mund të lehtësojë çdo kompensim për Përdoruesit lidhur me të metat e shërbimeve të shpërndarjes.
3.6. Kur përdorni Shërbimin Wolt, mund të kërkohet një vlerë minimale për blerje, rast në të cilin do të njoftoheni përpara se të bëni Porosinë në Shërbimin Wolt. Kur një Porosi nuk arrin vlerën e kërkuar minimale, ju do të keni mundësinë të paguani diferencën për të arritur vlerën minimale ose për të shtuar më shumë produkte në Porosinë tuaj. Meqënëse Wolt vepron si rishitës i produkteve të një Partneri nën ermin e tij, çmimet dhe informacioni i produkteve të Partnerit të disponueshme në Shërbimin Wolt, bazohet në informacionin e paraqitur nga vetë Partneri në Shërbimin Wolt. Partneri gjithashtu mund të vendosë kufizime të caktuara për Porosinë tuaj, si për shembull lidhur me sasinë dhe madhësinë e Porosisë. Partneri është përgjegjës për informacionin e paraqitur në Shërbimin Wolt në lidhje me disponueshmërinë e çdo produkti. Përdoruesi pranon që në rast se një produkt i caktuar është përkohësisht i padisponueshëm, Partneri do të përmbushë pjesën e mbetur të Porosisë tuaj pa përfshirë produktin e padisponueshëm në Porosi. Ju nuk do të paguani për produktet që nuk janë të disponueshme në momentin e kryerjes së Porosisë.
4. E drejta e heqjes dorë
4.1. Ju nuk mund të hiqni dorë ose të anuloni një Porosi për produkte ose shërbime pasi ta keni kryer atë, përveçse kur parashikohet shprehimisht ndryshe në këto Kushte Shërbimi. Përpara se të bëni një Porosi për një produkt ose shërbim, duhet të rishikoni me kujdes përzgjedhjen tuaj.
4.2. Nëse jeni konsumator, ju keni të drejtën e heqjes dorë në përputhje me dispozitat ligjore të vendit ku ndodheni. Konsumator në kuptimin e këtyre Kushteve të Shërbimit nënkupton çdo person fizik që përdor Shërbimin Wolt dhe bën Porosi për një qëllim që kryesisht nuk mund t'i atribuohet veprimtarisë së tyre tregtare ose të vetëpunësimit si profesionistë.
4.3. Wolt i përmbahet kufizimeve që burojnë nga të drejtat e ligjshme të konsumatorëve për anullim siç përcaktohet në ligjet në fuqi, sipas të cilave e drejta e heqjes dorë nuk do të ekzistojë për Marrëveshjet e Blerjes në lidhje me disa artikuj, duke përfshirë, por pa u kufizuar në, sa vijon:
produkte të tilla si ushqimet, të cilat janë të rrezikuara të prishen ose të skadojnë shpejt,
produkte të bëra sipas specifikimeve tuaja ose që janë qartësisht të personalizuara,
produkte të mbyllura të cilat nuk janë të përshtatshme për t'u kthyer për arsye të mbrojtjes së shëndetit ose higjienës, nëse produkte të tilla janë hapur pas dorëzimit,
produkte të cilat, pas dorëzimit, për shkak të natyrës së tyre, janë përzier në mënyrë të pandashme, me artikuj të tjerë,
lojëra, filma ose softuer kompjuterik, të vulosura, që janë hapur pas dorëzimit.
4.4. Ju keni të drejtë të hiqni dorë nga Marrëveshja e Blerjes së produkteve, për të cilat ekziston e drejta e heqjes dorë, brenda 14 ditëve nga dita e dorëzimit të produkteve në Porosi pa dhënë arsye për anulimin. Për të ushtruar të drejtën tuaj të heqjes dorë, duhet të informoni Wolt-in për vendimin tuaj të anulimit me anë të një deklarate të qartë (p.sh., një email ose një mesazh të dërguar përmes linjës së kujdesit ndaj klientit në aplikacionin e Wolt) brenda periudhës kohore të përmendur prej 14 ditësh. Nëse dëshironi, mund të përdorni modelin e mëposhtëm të formularit të heqjes dorë për të bërë njoftimin e heqjes dorë duke plotësuar informacionin në formular dhe duke dërguar informacionin tek Wolt, informacion i cili do të dërgohet gjithashtu nga Wolt tek Partneri përkatës:
Modeli i formularit të heqjes dorë
(Ju lutemi plotësoni dhe dorëzoni këtë formular vetëm nëse doni të tërhiqeni nga Marrëveshja e Blerjes)
Për: [vendosni emrin e Partnerit, adresën e Partnerit dhe adresën e emailit të Partnerit]:
Unë/Ne(*) me anë të këtij formulari njoftoj/më(*), që Unë/Ne(*) tërhiqem/i(*) nga kontrata ime/jonë(*) e shitjes së mallrave të mëposhtme/ për ofrimin e shërbimit të mëposhtëm(*)
Porositur në (*)/marrë në (*)
Emri i konsumatorit/konsumatorëve
Adresa e konsumatorit/ konsumatorëve
Nënshkrimi(et) e konsumatorit/ konsumatorëve (vetëm në rast se ky njoftim njoftohet me letër)
Data
(*) Fshijeni sipas rastit.
4.5. Nëse hiqni dorë nga Marrëveshja e Blerjes, Wolt do t'ju rimbursojë të gjitha pagesat që kemi marrë nga ju, duke përfshirë tarifën e transportit, tarifën e shërbimit dhe pagesat e mundshme për shërbimet e transportit (ku aplikohen) jo më vonë se 14 ditë nga data në të cilën kemi marrë njoftimin tuaj për heqjen dorë nga Marrëveshja e Blerjes ose nga një pjese e saj. Vini re se tarifa e transportit, tarifa e shërbimit dhe pagesat e mundshme (ku aplikohen) nuk do të kthehen në rast të heqjes dorë në mënyrë të pjesshme nga Porosia juaj.
4.6. Për të kryer rimbursimin, ne do të përdorim të njëjtat mjete pagese që ju keni përdorur për blerjen fillestare të Porosisë tuaj, përveç rasteve kur është rënë dakord shprehimisht ndryshe me ju. Vini re se nëse e keni paguar Porosinë me kredite Wolt, ne do t'ju rimbursojmë në kredite Wolt. Wolt mund të refuzojë rimbursimin derisa Partneri t'i ketë marrë produktet mbrapsht ose derisa të keni dhënë prova që i keni kthyer produktet, cilado qoftë më herët.
4.7. Ju duhet t'i ktheni ose dërgoni produktet tek i njëjti Partner dhe në të njëjtin vend të cilit i takon Porosia. Të dhënat e kontaktit të pikës së shitjes së Partnerit janë të disponueshme në Shërbimin Wolt. Ju duhet t'i ktheni produktet Partnerit sa më shpejt të jetë e mundur dhe në çdo rast jo më vonë se 14 ditë pas ditës në të cilën na keni njoftuar për heqjen dorë nga Marrëveshja e Blerjes dhe, duhet t'i siguroni Wolt-it provat e nevojshme që produktet i janë kthyer Partnerit.Kjo periudhë konsiderohet të jetë respektuar nëse i dërgoni produktet përpara kalimit të periudhës prej 14 ditësh.
4.8. Ju do të përballoni shpenzimet e drejtpërdrejta të kthimit të produkteve në përputhje me paragrafin 4.7. Produktet e kthyera duhet të jenë në gjendje të papërdorur dhe në gjendje për t'u rishitur. Ju do të jeni përgjegjës për çdo humbje në vlerë të produkteve nëse kjo humbje në vlerë vjen për shkak të një mënyre trajtimiqë është e panevojshme për testimin e gjendjes, vetive dhe funksionalitetit të tyre.
4.9. Ndonjëherë mund të ndodhë që disa nga produktet e Partnerit që dëshironi të blini përmes Shërbimit Wolt nuk janë përkohësisht të disponueshme. Për raste të tilla dhe në masën që Partneri ka mundësuar zëvendësimet në Shërbimin Wolt, ju mund të zgjidhni, përpara se të konfirmoni Porosinë tuaj, nëse Partneri mund të zëvendësojë një artikull që mungon me një artikull të ngjashëm. Nëse keni lejuar zëvendësime për një ose të gjithë artikujt në Porosinë tuaj, Partneri do t'i zëvendësojë këto artikuj në përputhje me parimet e mëposhtme: (i) zëvendësuesi do të zgjidhet bazuar në atë që Partneri e konsideron si zëvendësuesin më të përshtatshëm e që korrespondon sa më shumë që të jetë e mundur me sasinë, cilësinë dhe çmimin e artikullit origjinal në Porosi; (ii) substancat që zakonisht shkaktojnë alergji duhet të merren parasysh me kujdes në mënyrë që për shembull një artikull pa laktozë të zëvendësohet vetëm me një artikull pa laktozë dhe një artikull pa gluten të zëvendësohet vetëm me një artikull pa gluten; (iii) pijet dietike ose të lehta zëvendësohen me pije dietike ose të lehta; (iv) produkti bimor zëvendësohet me një produkt bimor; dhe (v) prodhimi vendas zëvendësohet me prodhim vendas. Megjithatë, ju lutemi vini re se një artikull i zëvendësuar mund të jetë me shije të ndryshme nga artikulli i Porositur fillimisht. Ju nuk do të detyroheni për asnjë tarifë ose kosto shtesë që artikulli zëvendësues sjell në krahasim me çmimin e artikullit origjinal në Porosinë tuaj. Nëse çmimi i zëvendësuesit është më i ulët se çmimi i artikullit origjinal në Porosinë tuaj, ju do të tarifoheni me çmimin e artikullit zëvendësues.
5. Llogaritë e përdoruesve
5.1. Ju keni një të drejtë të kufizuar, jo-ekskluzive, të patransferueshme dhe pa të drejtë nënlicensimi për të përdorur Shërbimin Wolt në formën që ju ofrohet nga ne herë pas here, vetëm për qëllimet e përcaktuara këtu. Licenca e dhënë ndaj Përdoruesit për aplikacionin iOS Wolt të shkarkuar nga App Store i Apple kufizohet më tej në një licencë për të përdorur aplikacionin Wolt në çdo produkt të markës Apple që Përdoruesi zotëron ose kontrollon dhe siç lejohet nga Rregullat e Përdorimit të përcaktuara në Kushtet e shërbimit të App Store dhe këto Kushte të Shërbimit.
5.2. Për të përdorur Shërbimin Wolt, Përdoruesi duhet të krijojë një llogari duke ndjekur udhëzimet e regjistrimit në Shërbimin Wolt. Kredencialet e Shërbimit Wolt janë personale (nëse nuk është rënë dakord ndryshe ndërmjet Wolt dhe Organizatës së Klientit). Përdoruesi duhet të sigurojë që çdo kredencial i llogarisë së përdoruesit dhe informacion i barazvlefshëm që kërkohet për të hyrë në llogarinë e Përdoruesit ose Organizatës së Klientit, të mbahet konfidencial dhe të përdoret në një mënyrë të sigurt që nuk është e aksesueshme nga palët e treta. Një Përdorues mund të ketë vetëm një llogari personale.
5.3. Kur dyshohet se ndonjë person i paautorizuar ka marrë dijeni për kredencialet e llogarisë së një Përdoruesi ose ka akses në llogarinë e Përdoruesit, Përdoruesi duhet të informojë menjëherë Wolt-in për këtë. Përdoruesi do të jetë përgjegjës për çdo përdorim të Shërbimit Wolt dhe çdo aktivitet nën llogarinë e Përdoruesit.
5.4. Për të përdorur Shërbimin Wolt, duhet t'i paraqitni Wolt-it të dhëna të vlefshme të kartës së kreditit ose të mënyrës tjetër të pagesës. Wolt nuk ruan informacionin e mjetit tuaj të pagesës, pasi kjo bëhet nga një palë e tretë ofrues i shërbimit të pagesave të përdorur nga Wolt. Ju pranoni të paguani për të gjitha blerjet që rrjedhin nga përdorimi juaj i Shërbimit Wolt, përveç blerjeve të bëra nëpërmjet funksionit Wolt për Punë me koston e Organizatës së Klientit. Ju duhet të mbani të përditësuar kartën e kreditit dhe informacionet e tjera të pagesës që keni dhënë në llogarinë tuaj të përdoruesit.
6. Pagesat
6.1. Përdoruesi, ose Organizata e Klientit në rastin e llogarisë Wolt për Punë, do të paguajë çmimin e blerjes të përcaktuar në Porosi duke përdorur funksionet përkatëse të pagesës së Shërbimit Wolt. Wolt, ose sipas rastit, shoqëria e grupit Wolt e autorizuar nga Wolt, mbledh të gjitha pagesat nga Përdoruesit ose Organizata e Klientit në lidhje me Porositë. Nëse Porosia është bërë duke përdorur funksionin Wolt për Punë, Përdoruesi konfirmon pagesën në emër të Organizatës së Klientit nëpërmjet funksionit Wolt për Punë. Detyrimi i pagesës i Përdoruesit ose i Organizatës së Klientit do të lindë me kryerjen e një Porosie përmes Shërbimit Wolt.
6.2. Përdoruesi mund të përmbushë këtë detyrim pagese vetëm duke përdorur mënyrën përkatëse të pagesës në internet të ofruar në Shërbimin Wolt. Kur Përdoruesi, ose Organizata e Klientit ka paguar çmimin tek Wolt, Përdoruesi ose Organizata e Klientit kanë përmbushur detyrimin e tyre të pagesës në lidhje me Porosinë e tyre.
6.3. Pagesa do të zbritet automatikisht nga karta e kreditit ose përfitimet ushqimore të Përdoruesit, ose do të ngarkohet përmes funksionit Wolt për Punë të Organizatës së Klientit, pas dorëzimit të Porosisë. Wolt ka të drejtë të autorizojë mbajtje të fondeve përkatëse në kartën e kreditit të Përdoruesit, përfitimeve ushqimore ose Funksionit Wolt për Punë të Organizatës së Klientit pas kryerjes së Porosisë në Shërbimin Wolt. Wolt mund të përdorë një palë të tretë ofrues të shërbimit të pagesave për përpunimin e pagesave.
6.4. Në situata dhe mënyra të caktuara pagese, çmimi i blerjes mund të ndryshojë shumë pak për shkak të ndryshimeve teknike të kursit të këmbimit valutor midis monedhave si pjesë e procesit të pagesës. Wolt nuk mban asnjë përgjegjësi për këto diferenca të konvertimit të monedhës dhe nuk mund të parashikojë shumën e saktë të zbritur në rastet kur përdoren instrumente të pagesave që i nënshtrohen konvertimeve të kursit të këmbimit valutor.
6.5. Pagesa me para në dorë është një mënyrë pagese shtesë e disponueshme në Shqipëri. Vlera maksimale e një Porosie me para në dorë është e detajuar në Shërbimin Wolt, sipas rastit. Rimbursimet në Porositë me para në dorë do të bëhen me kredite Wolt ose nëpërmjet një metode tjetër të përshtatshme ose të kërkuar ligjërisht. Nëse një Përdorues që ka bërë një Porosi me para në dorë nuk është në vendin e caktuar të transportit në kohën e rënë dakord ose 5 minuta më pas, kujdesi ndaj klientit i Wolt do të kontaktojë Përdoruesin dhe do të dakordësojë një marrëveshje të përshtatshme për pagesën. Nëse kujdesi ndaj klientit nuk mund të kontaktojë me Përdoruesin brenda 24 orëve nga mosparaqitja, Wolt do të marrë masat e duhura, të cilat mund të përfshijnë çaktivizimin e opsionit të pagesës me para në dorë nga Përdoruesi ose edhe çaktivizimin e llogarisë së Përdoruesit në Shërbimin Wolt për Porosi të mëtejshme.
6.6. Kur shtoni produktet e shitura me peshë në Porosinë tuaj, Wolt nuk do të ketë njohuri mbi peshën e saktë të tyre derisa produktet të peshohen nga Partneri i cili do të përmbushë Porosinë. Për produktet e përcaktuara sipas peshës, çdo çmim për produkt i treguar në Shërbimin Wolt është vetëm një vlerësim i përafërt i dhënë nga Partneri në Shërbimin Wolt. Çmimi përfundimtar i produktit të përcaktuar sipas peshës në Porosinë tuaj do të përcaktohet dhe tarifohet bazuar në peshën e produktit që merrni. Për të bërë rregullimet dhe përshtatjet e nevojshme në çmim në varësi të ndryshimit të peshës, Wolt do të mbajë një pagesë të përkohshme të autorizuar nga karta juaj. Shuma e mbajtur e pagesës së përkohshme të autorizuar do të jetë maksimumi 20% e vlerës së produkteve të përcaktuara sipas peshës, të përfshira në Porosinë tuaj. Në rast se produkti në Porosinë tuaj peshon më pak se sa tregohet në konfirmimin e Porosisë tuaj, Wolt do t'ju rimbursojë diferencën e çmimit. Në rast se produkti në Porosinë tuaj peshon më shumë se sa tregohet në konfirmimin e Porosisë tuaj, Wolt do t'ju tarifojë diferencën e çmimit nga pagesa e përkohshme e autorizuar për produktet e përcaktuara sipas peshës . Çdo pjesë e pagesës së përkohshme të autorizuar që nuk është e nevojshme për mbulimin e një rregullimi të çmimit do të kthehet ose rimbursohet në kartën tuaj.
7. Kreditet dhe Token-ët Wolt
7.1. Përdoruesit e Shërbimit Wolt mund të marrin kredite ose token Wolt, p.sh. duke ftuar përdorues të rinj të regjistrohen në Shërbimin Wolt (“Programi i Referimit”). Sipas Programit të Referimit, Wolt mund t'u ofrojë përdoruesve të tij mundësinë për të fituar kredite ose token Wolt si shpërblime promocionale duke ftuar miqtë e tyre të kualifikuar të regjistrohen si Përdorues të rinj Wolt dhe të bëjnë Porosinë e tyre fillestare përmes Shërbimit Wolt. Për çdo referim të kualifikuar, Përdoruesi mund të marrë kredite ose token siç specifikohet në Kushtet e Programit të Referimit të Wolt. Ju pranoni që ne mund të ndryshojmë termat dhe kushtet e Programit të Referimit ose të ndërpresim Programin e Referimit në çdo kohë.
7.2. Përdoruesit e Shërbimit Wolt mund të marrin gjithashtu kredite ose token Wolt përmes fushatave promovuese të krijuara nga Wolt herë pas here. Ju pranoni që ofertat promovuese: (i) mund të përdoren vetëm nga audienca e synuar, për qëllimin e synuar dhe në mënyrë të ligjshme; (ii) nuk mund të kopjohen, shiten ose transferohen në asnjë mënyrë ose të vihen në dispozicion të publikut të gjerë, përveç rasteve kur lejohet shprehimisht nga Wolt; (iii) i nënshtrohen kushteve specifike që Wolt vendos për një promovim ose fushatë të tillë. Për shembull, ofertat promocionale mund të jenë të disponueshme vetëm për përdorues të caktuar ose mund të kufizohen për t'u përdorur tek Partnerë të veçantë ose në një kohë të caktuar të ditës.
7.3. Wolt mund të përcaktojë në mënyrë të njëanshme kushtet e zbatueshme për dhënien, përdorimin dhe vlefshmërinë e krediteve dhe tokenë-ve Wolt.
7.4. Çdo kredit ose token bonus nga regjistrimi mund të përdoret vetëm një herë.
7.5. Përdoruesit mund të përdorin kredite dhe token Wolt për të marrë zbritje në blerjet e tyre vetëm në Shërbimin Wolt dhe në varësi të kushteve specifike të fushatës ose promovimit të veçantë. Kreditet dhe token-ët Wolt nuk mund të shkëmbehen me para në dorë. Periudha e vlefshmërisë së krediteve dhe token-ëve Wolt që mund të keni marrë është specifikuar në Shërbimin Wolt. Pas skadimit, kreditet dhe tokenët do të hiqen nga llogaria juaj. Kreditet dhe tokenët e skaduar nuk mund të pranohen dhe nuk mund të përdoren për asnjë Porosi.
7.6. Kreditet dhe token-ët Wolt do të anulohen nëse Wolt zbulon ndonjë abuzim të krediteve ose token-ëve Wolt ose dyshon ose zbulon se kreditet ose token-ët Wolt janë dhënë për arsye të pasakta. Në raste të tilla, Wolt do të faturojë shumën që është paguar duke përdorur kredite ose token Wolt të tillë.
8. Transporti i një Porosie
8.1. Nëse Përdoruesi porosit transportin e Porosisë nëpërmjet Shërbimit Wolt, Porosia do të dorëzohet në vendndodhjen e konfirmuar nga Përdoruesi në Shërbimin Wolt. Përdoruesi gjithashtu duhet të sigurojë një adresë rruge për vendndodhjen e konfirmuar në Shërbimin Wolt. Nëse për Porosinë tuaj aplikohet dorëzimi pa kontakt, lutemi të mbani në konsideratë se mallrat do të konsiderohen të dorëzuara kur ato lihen në derë dhe Partneri Korrier shënon statusin e Porosisë si "të dorëzuar" në Shërbimin Wolt, moment pas të cilit ju jeni përgjegjës për mallrat e Porosisë.
8.2. Përdoruesi duhet të jetë i disponueshëm për të pranuar thirrje në numrin e telefonit që Përdoruesi ka vendosur në Shërbimin Wolt. Nëse numri i telefonit i dhënë nga Përdoruesi nuk mund të arrihet, dorëzimi mund të anulohet nga Wolt dhe Përdoruesi ose Organizata e Klientit mund të tarifohen për çmimin e plotë të Porosisë.
8.3. Përdoruesi mund të vendos të bëjë një Porosi që do të dorëzohet sa më shpejt që të jetë e mundur (mënyra standarde e transportit) ose një Porosi ku përcaktohet paraprakisht një kohë e caktuar dorëzimi, në masën që këto opsione janë të disponueshme në Shërbimin Wolt në momentin e kryerjes së Porosisë.
8.4. Opsioni standard i transportit: Përdoruesi duhet të jetë i pranishëm në vendndodhjen e konfirmuar, të përcaktuar në Porosi ndërmjet kohës së kryerjes së Porosisë dhe marrjes së produkteve të përcaktuara në Porosi.
8.5. Opsioni i transportit të “Porosisë paraprake”: Përdoruesi duhet të jetë i pranishëm në vendndodhjen e konfirmuar midis dhjetë minutave para kohës së transportit të Porositur paraprakisht deri në momentin e marrjes së Porosisë.
8.6 Për të dy opsionet sipas 8.4 dhe 8.5, nëse Përdoruesi nuk është i disponueshëm në vendndodhjen që ata kanë konfirmuar brenda pesë minutave nga mbërritja e transportit të produkteve të Porositura dhe Përdoruesi nuk përgjigjet pas dy përpjekjeve kontaktuese nga Partneri Korrier që bënë dorëzimin, dorëzimi mund të anulohet nga Wolt dhe Përdoruesi ose Organizata e Klientit mund të tarifohen për çmimin e plotë të Porosisë.
9. Tërheqja dhe grumbullimi i një Porosie në pikën e shitjes së Partnerit
9.1. Nëse Përdoruesi nuk ka porositur shërbimin e transportit të produkteve të Partnerit të përcaktuara në Porosi, por tërheqjen e tyre në pikën e shitjes së Partnerit, produktet mund të tërhiqen në pikën e shitjes së Partnerit të zgjedhur nga Përdoruesi në lidhje me Porosinë. Përdoruesi do të marrë një konfirmim elektronik të veçantë kur produktet të jenë gati për t’u tërhequr. Wolt në marrëveshje me Partnerin, mund të vendosë kushte për identifikimin e Përdoruesit kur merr produktet e përcaktuara në Porosi.
9.2. Partneri do t'i ruajë produktet e Porositura për 60 minuta pasi Përdoruesi është njoftuar se Porosia është gati për t’u tërhequr. Megjithatë, ky detyrim është i kufizuar në orët e hapjes së pikës së shitjes së Partnerit të caktuar dhe Porosia duhet të tërhiqet përpara kohës së mbylljes së pikës së shitjes në fjalë të Partnerit.
10. Porosia për të konsumuar në vend (Eat-in)
10.1. Nëse Përdoruesi ka zgjedhur opsionin për të konsumuar produktet e Porosisë në pikën e shitjes së Partnerit, Përdoruesi do të marrë një konfirmim elektronik të veçantë për kohën kur pritet që produktet të jenë gati për t'u konsumuar në pikën e shitjes së Partnerit.
11. Përllogaritjet e kohës
11.1. Çdo kohë dorëzimi ose kohë tërheqjeje ose përllogaritje tjetër kohe që i komunikohet Përdoruesit nga Partneri ose Wolt në Shërbimin Wolt është vetëm kohë e përafërt. Nuk ka asnjë garanci që Porosia do të dorëzohet ose do të jetë e disponueshme për marrje ose konsum në kohën e parashikuar. Koha e transportit të produkteve mund të ndikohet gjithashtu nga faktorë të tillë si bllokimi i trafikut, orët e pikut dhe kushtet e motit.
12. Të drejtat e pronësisë intelektuale
12.1. Të gjitha të Drejtat e Pronësisë Intelektuale në ose në lidhje me Shërbimin Wolt dhe dokumentacionin përkatës, si dhe të gjitha pjesët dhe kopjet e tij do të mbeten ekskluzivisht dhe do të jenë pronë e vetme dhe ekskluzive e Wolt dhe/ose filialeve/nënkontraktorëve/licensuesve të tij. "Të Drejtat e Pronësisë Intelektuale” do të thotë të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to (përfshirë të drejtat e bazës së të dhënave dhe të katalogut dhe të drejtat e fotografive), patentat, modelet e përdorimit, të drejtat e dizenjove, markat tregtare, emrat tregtarë, sekretet tregtare, njohuritë (know-how) dhe çdo formë tjetër e të drejtave të pronësisë intelektuale të regjistruara ose të paregjistruara.
12.2. Këto Kushte të Shërbimit nuk i japin Përdoruesit asnjë të Drejtë të Pronësisë Intelektuale në Shërbimin Wolt dhe të gjitha të drejtat që nuk jepen shprehimisht këtu janë të rezervuara nga Wolt dhe nënkontraktorët/ të licensuarit e tij.
12.3. Apple nuk do të jetë përgjegjës për asnjë hetim, mbrojtje, marrëveshje ose heqje dorë nga ndonjë pretendim që aplikacioni iOS Wolt ose përdorimi i tij cënon ndonjë të drejtë pronësie intelektuale të palës së tretë.
12.4. Për aq sa lejohet nga ligji i zbatueshëm, Përdoruesi i jep Wolt një të drejtë mbarëbotërore, pa honorare, të nënlicensueshme dhe të transferueshme për të përdorur, modifikuar, riprodhuar, shpërndarë, shfaqur dhe publikuar çdo përmbajtje të ofruar nga Përdoruesi në lidhje me Shërbimin Wolt. Një përmbajtje e tillë mund të përfshijë fotografi, të dhëna, informacione, komente, sugjerime, tekste dhe materiale të tjera që ngarkohen, postohen ose transmetohen ndryshe në lidhje me Shërbimin Wolt.
13. Dispozita shtesë për përdorimin e Shërbimit Wolt
13.1. Shërbimi Wolt është i disponueshëm vetëm për personat e moshës 18 vjeç e lart. Ju nuk mund të regjistroheni si Përdorues nëse nuk e përmbushni këtë kërkesë.
13.2. Përdoruesi duhet të respektojë të gjitha rregullat dhe rregulloret e zbatueshme kur përdor Shërbimin Wolt, duke përfshirë ato në lidhje me blerjen e alkoolit dhe produkteve të duhanit (nëse aplikohet), ilaçeve dhe produkteve të tjera të kufizuara në varësi të moshës. Në masën që transporti i produkteve të kufizuara në varësi të moshës, si pijet alkoolike ose produktet e duhanit (nëse ka), është i disponueshëm në vendin ku ndodhet Përdoruesi, Përdoruesit mund t'i refuzohet dorëzimi i produkteve të kufizuara në varësi të moshës në rast se Përdoruesi nuk është në gjendje për t'i dhënë një dokument të vlefshëm identifikimi me fotografi, të lëshuar nga institucionet shtetërore, për Partnerin Korrier të Wolt-it që dorëzon Porosinë ose Partnerin në rast të tërheqjes në pikën e shitjes së Partnerit, duke vërtetuar se Përdoruesi është në moshën e kërkuar ligjërisht për të blerë produktin(et). Përdoruesit mund t'i refuzohet dorëzimi i produkteve të kufizuara në varësi të moshës edhe në raste të tjera të përcaktuara nga rregullat dhe rregulloret në fuqi në vendin ku ndodhet Përdoruesi, si për shembull për pijet alkoolike, nëse Përdoruesi shfaq shenja intoksikimi. Në rast se dorëzimi i produkteve të kufizuara sipas moshës refuzohet për arsyet e parashikuara këtu, Wolt ka të drejtë të tarifojë Përdoruesin dyfishin e vlerës së tarifës së transportit, tarifës së shërbimit dhe tarifave shtesë të mundshme për shërbimet e transportit (nëse aplikohen) që Përdoruesi ka paguar për Porosinë në fjalë si kompensim për detyrimin për t'i kthyer produktin(et) e kufizuar në varësi të moshës Partnerit.
13.3. Wolt zhvillon vazhdimisht Shërbimin Wolt dhe Wolt mund të ndryshojë ose heqë pjesë të ndryshme të Shërbimit Wolt, duke përfshirë veçoritë, produktet dhe Partnerët e disponueshëm në Shërbimin Wolt, pjesërisht ose tërësisht.
13.4. Duke përdorur Shërbimin Wolt, Përdoruesi mund të ndeshet me përmbajtje ose informacione që mund të jenë të pasakta, të paplota, të vonuara, mashtruese, të paligjshme, fyese ose ndryshe të dëmshme. Wolt në përgjithësi nuk shqyrton përmbajtjen e ofruar nga Partnerët. Wolt nuk është përgjegjës për përmbajtjen ose informacionin e palëve të treta (përfshirë Partnerët) ose për çdo dëm që lind si rezultat i përdorimit ose mbështetjes në të.
13.5. Ju ose Organizata e Klientit do të jeni përgjegjës për marrjen dhe mirëmbajtjen e çdo pajisjeje (të tilla si telefonat) dhe lidhjet e nevojshme për aksesin dhe përdorimin e Shërbimit Wolt dhe të gjitha tarifat që lidhen me të.
13.6. Përdoruesi nuk: (i) do të përdorë ose përpiqet të përdorë llogarinë personale Wolt të një personi tjetër dhe/ose të aksesojë të dhënat personale të pagesave të një personi tjetër nëpërmjet Shërbimit Wolt ose të përdorë kartat personale të pagesave të një personi tjetër kur përdor Shërbimin Wolt, pa pëlqimin e atij personi; (ii) do të kopjojë, ndryshojë ose krijojë vepra të prejardhura të Shërbimit Wolt ose çdo teknologjie të lidhur; (iii) do të shpërbëjë, zhvendosë, çmontojë, deshifrojë ose në ndonjë mënyrë tjetër përpiqet për të nxjerrë kodin fillestar për Shërbimin Wolt ose ndonjë teknologji të lidhur, ose ndonjë pjesë të tij; (iv) do të heqë asnjë njoftim për të drejtën e autorit, markën tregtare ose të drejtat e tjera pronësore të përfshira në Shërbimin Wolt; (v) do të heqë, mbulojë ose fshehë çdo reklamë të përfshirë në Shërbimin Wolt; (vi) do të mbledhë, përdorë, kopjojë ose transferojë asnjë informacion të marrë nga Shërbimi Wolt pa pëlqimin e Wolt; (vii) do të përdorë robotë ose metoda të tjera të automatizuara për të përdorur Shërbimin Wolt; (viii) do të krijojë një llogari Wolt duke përdorur një identitet të rremë ose një identitet të një personi tjetër; ose (ix) do të futet në Shërbimin Wolt, përveçse nëpërmjet ndërfaqeve të ofruara shprehimisht nga Wolt, të tilla si aplikacioni Wolt dhe faqja tregtare e Wolt.
13.7. Wolt, në diskrecion të tij, ka të drejtë të heqë ose pezullojë një Përdorues nga Shërbimi Wolt me efekt të menjëhershëm dhe/ose të refuzojë ose anulojë çdo Porosi nga një përdorues nëse: (i) Përdoruesi abuzon me Shërbimin Wolt ose shkakton ndonjë dëm ose problem për përdorimin e Shërbimit Wolt ose Partnerëve ose punëmarrësve të Wolt ose Wolt, (ii) Wolt ka bindje të arsyeshme për veprime mashtruese nga Përdoruesi kur përdor Shërbimin Wolt, (iii) Përdoruesi kryen një Porosi të rreme (për shembull duke mos paguar ose duke mos qenë i pranishëm në vendndodhjen ku do të merret dërgesa ose do të tërhiqet Porosia) ose përndryshe nuk plotëson detyrimet e tij që rrjedhin nga këto Kushte të Shërbimit; (iv) ka dyshime të arsyeshme për korrektësinë ose vërtetësinë e Porosisë; ose (v) Përdoruesi merr pjesë në kërcënime, ngacmime, sjellje raciste, seksiste ose çdo sjellje tjetër që Wolt e konsideron të papërshtatshme ndaj Partnerëve ose punëmarrësve të Wolt ose Partnerëve Korrier. Nëse Wolt anulon një Porosi që tashmë është paguar, Wolt do ta transferojë atë shumë në të njëjtën llogari përdoruesi ose në llogarinë Wolt për Punë nga e cila është bërë pagesa nga Përdoruesi.
13.8. Kontrolluesit e të dhënave personale të mbledhura nga Përdoruesit janë Wolt dhe Wolt Enterprises Oy si kontrollues të përbashkët, përveç nëse parashikohet ndryshe. Wolt dhe Wolt Enterprises Oy do të përpunojë çdo të dhënë personale të mbledhur nga Përdoruesi në përputhje me Deklaratën e Privatësisë Wolt.
13.9. Përdoruesi duhet të respektojë kushtet e zbatueshme të marrëveshjeve me palë të treta kur përdor aplikacionin Wolt ose Shërbimin Wolt.
13.10. Përdoruesi përfaqëson dhe garanton që (i) ata nuk janë të vendosur në një vend që i nënshtrohet një embargoje të Qeverisë së SHBA, ose që është përcaktuar nga qeveria e SHBA si një vend "mbështetës i terrorizmit"; dhe (ii) ato nuk janë të listuar në asnjë listë të palëve të ndaluara ose të kufizuara nga Qeveria e SHBA-së ose në ndonjë listë tjetër të individëve ose subjekteve të sanksionuara.
14. Afati dhe përfundimi
14.1. Këto Kushte të Shërbimit janë në fuqi si një marrëveshje detyruese midis Wolt dhe Përdoruesit deri në një njoftim të mëtejshëm, për sa kohë që Përdoruesi është duke përdorur Shërbimin Wolt.
14.2. Përdoruesi mund të ndërpresë përdorimin e Shërbimit Wolt në çdo kohë. Wolt mund të ndërpresë ofrimin e Shërbimit Wolt përgjithmonë ose përkohësisht në çdo kohë.
15. Të metat dhe ankesat
15.1. Lutemi mbani në konsideratë se Shërbimi Wolt mund të ndërpritet në çdo kohë ose të ndërpritet përgjithmonë. Shërbimi Wolt gjithashtu mund të pezullohet përkohësisht. Mos përdorni shërbimin Wolt për të ruajtur të dhëna. Ndërsa ne bëjmë më të mirën për t'ju ofruar platformën dhe shërbimet tona (përfshirë shërbime të reja dhe/ose të përkohshme të tilla si dërgesat pa kontakt, dërgesat me teknologji të reja ose dërgesat e kategorive të reja të produkteve) pa gabime, Wolt nuk ju premton ose garanton asgjë në lidhje me besueshmërinë, funksionalitetin, afatin kohor, cilësinë ose përshtatshmërinë e Shërbimit Wolt, veçorive të tij ose çdo shërbimi të ofruar nga Wolt. Wolt nuk premton ose garanton asgjë që nuk përmendet shprehimisht në këto Kushte të Shërbimit.
15.2. Meqënëse Wolt vepron vetëm si ndërmjetës dhe rishitës i produkteve të Partnerit në emrin e tij, Partneri mban vetë përgjegjësi për përmbajtjen, cilësinë, sigurinë dhe paketimin e produkteve të tyre të ofruara për shitje përmes Shërbimit Wolt dhe ka një përgjegjësi ligjore për të metat e produkteve të tij siç përcaktohet në ligjet në fuqi. Ju jeni përgjegjës për inspektimin e produkteve në Porosinë tuaj pa vonesa, pas marrjes së Porosisë. Nëse ka ndonjë të metë ose mangësi tjetër cilësore në produktet e Porosisë tuaj, atëherë duhet të kontaktoni kujdesin ndaj klientit të Wolt dhe të përfshini një përshkrim të qartë të të metave ose mangësive. Për mallrat e konsumit, njoftimet për të meta duhet të bëhen brenda një kohe të arsyeshme nga zbulimi i të metës , por jo më vonë se dy muaj pas zbulimit. Ju lutemi vini re se në rast të të metave në produkte ushqimore ose produkte të tjera që nga natyra e tyre prishen ose vjetërohen me shpejtësi, është thelbësore që të njoftoni të metën sa më shpejt që të jetë e mundur për të mundësuar hetimin dhe verifikimin e duhur të të metës. Ju lutem kini parasysh se Wolt mund t'ju kërkojë të dërgoni një fotografi të produktit në fjalë për të dokumentuar dhe verifikuar të metat. Në rast të një të mete ose mospërputhjeje në produktet e Porosisë tuaj, ju keni të drejtën e rimbursimit në përputhje me ligjet në fuqi.
15.3. Meqënëse Wolt vepron vetëm si ndërmjetës dhe rishitës i produkteve të Partnerit në emrin e tij, Partneri është përgjegjësi i vetëm për çdo të metë në përmbajtjen dhe përgatitjen ose paketimin e Porosisë ose mangësi të tjera të ngjashme të cilat prekin zbatimin e Marrëveshjes së Blerjes. Wolt nuk është përgjegjës për informacionin e dhënë nga Partneri për Shërbimin Wolt dhe nuk jep asnjë garanci për disponueshmërinë, cilësinë ose përshtatshmërinë e produkteve.
15.4. Apple nuk ka asnjë detyrim për të ofruar ndonjë shërbim mirëmbajtjeje dhe mbështetjeje në lidhje me Aplikacionin Wolt. Në masën që çdo mirëmbajtje ose mbështetje kërkohet nga ligji në fuqi, ne, jo Apple, do të jemi të detyruar të ofrojmë çdo mirëmbajtje ose mbështetje të tillë. Në masën që ekziston ndonjë garanci sipas ligjit që nuk mund të mohohet, ne, jo Apple, do të jemi vetëm përgjegjës për këtë garanci. Ne, jo Apple, jemi përgjegjës për adresimin e çdo pretendimi të Përdoruesit ose të ndonjë pale të tretë në lidhje me aplikacionin iOS Wolt ose zotërimin dhe/ose përdorimin nga Përdoruesi të aplikacionit iOS Wolt, duke përfshirë, por pa u kufizuar në: (i)pretendimet për të metat e produktit; (ii) çdo pretendim që aplikacioni iOS Wolt ka dështuar të përmbushë ndonjë kërkesë ligjore ose rregullatore të zbatueshme; dhe (iii) pretendimet që lindin nga legjislacioni për mbrojtjen e konsumatorit, privatësinë ose të ngjashëm, duke përfshirë në lidhje me përdorimin e sistemit HealthKit dhe HomeKit nga aplikacioni iOS Wolt.
16. Ligji i zbatueshëm dhe Zgjidhja e Mosmarrëveshjeve
16.1. Këto Kushte të Shërbimit do të zbatohen dhe interpretohen në përputhje me ligjet e Shqipërisë.
16.2. Nëse jeni konsumator, ju lutemi vini re se nuk mund t'ju hiqen të drejtat që ju janë dhënë nga ligjet detyruese të mbrojtjes së konsumatorit në Shqipëri.
16.3. Mosmarrëveshjet që lindin nga këto Kushte të Shërbimit do të zgjidhen nga gjykatat kompetente të Shqipërisë, institucionet administrative kombëtare të ngarkuara me autoritetin për të trajtuar ankesat e konsumatorëve dhe/ose institucionet e tjera siç parashikohet në Nenin 56 të ligjit shqiptar për Mbrojtjen e Konsumatorëve.
17. Ndryshimet
17.1. Këto Kushte të Shërbimit të Përdoruesit janë objekt ndryshimesh. Në rast të ndonjë mospërputhjeje midis këtyre Kushteve të Shërbimit të Përdoruesit dhe çdo versioni në gjuhën lokale të këtyre Kushteve të Shërbimit të Përdoruesit, këto kushte do të mbizotërojnë.
17.2. Wolt do të publikojë Kushtet e Shërbimit të Përdoruesit të ndryshuara në faqen e internetit të Wolt. Wolt do të informojë Përdoruesin për çdo ndryshim që është thelbësor nga natyra në Shërbimin Wolt ose me email në adresën e emailit të dorëzuar në Shërbimin Wolt nga Përdoruesi. Nëse Përdoruesi nuk pajtohet me ndonjë Kusht të ndryshuar të Shërbimit të Wolt, ai do të ndërpresë përdorimin e Shërbimit Wolt.
18. Transferimi
18.1. Wolt ka të drejtë të transferojë të gjitha ose ndonjë nga të drejtat ose detyrimet e përcaktuara këtu, tërësisht ose pjesërisht, te një filial ose pasardhës ose një blerës i aseteve të biznesit të tij në lidhje me Shërbimin Wolt, pa pëlqimin paraprak të Përdoruesit.
18.2. Përdoruesi nuk ka të drejtë të transferojë asnjë nga të drejtat ose detyrimet e tij, të përcaktuara në këtë kontratë, tërësisht apo pjesërisht.
Përditësuar 20.03.2024